Kriza ka emër

February 25th, 2010

Besnik Pula

Varfëria, gjendja e rëndë ekonomike e shumë kategorive shoqërore dhe paperspektiva e një qeverie me shumë plane për privatizime dhe shpenzime gjigande por pa plan dhe strategji zhvillimore, është përdorur jo rrallë viteve të fundit si zë alarmi për situatën aktuale ekonomike në Kosovë. Madje, jo rrallë është ngritur frika për perspektivën e një “shpërthimi social”. Ky alarm u riaktualizua sërish si rezultat i grevave të shumta që kanë ndodhur apo janë paralajmëruar javëve dhe muajve të shkuar dhe atyre në vijim, të kategorive të ndryshme të punonjësve – kryesisht ata të sektorit publik – që kanë të bëjnë kryesisht me ngritjen e pagave dhe sigurimin e të drejtave të tjera të punës.

Padyshim, gjendja në shumë sektorë është jo vetëm alarmante por shokuese. Ndërtimi i sektorëve kyç të administratës dhe të shërbimeve publike në Kosovë që nga viti 1999, ka ndjekur me përpikmëri doktrinën neoliberale mbi tregun e punës, duke krijuar vende pune me kontrata afatshkurtëra, pa mbrojtje pensionale dhe invalidore, pa mbrojtje në punë dhe pa siguri afatgjatë për vendin e punës. Nëse marrim si shembull vetëm gjendjen në polici, një polic jo vetëm që nuk përfiton kurrfarë sigurie në kontratën e tij/saj të punës, por as familja e tij/saj nuk gëzon kurrfarë mbrojtje pensionale në rast lëndimi apo pësimi fatal, përkundër faktit se kemi të bëjmë me një kategori pune me shkallë të lartë rrezikshmërie. Gjendja nuk është shumë më e mirë as në sektorët tjerë, qoftë në administratë, qoftë në arsim apo në shëndetsi.

Në sektorin privat, ndërkaq, gjendja e punëtorëve është e mizershme. Ndonëse ekonomia kosovare dominohet nga bizneset familjare, firmat e mëdha private, p.sh. ato të ndërtimtarisë, të hotelierisë dhe të shitjes së mallrave, jo vetëm që përndjekin dhe pengojnë organizimin sindikal, por nuk ofrojnë asnjë mbrojtje për punëtorët, shumë prej të cilëve janë sezonalë dhe nën mëshirën e punëdhënësit. Femrat përjetojnë represionin dhe abuzimin më të madh, e intensifikuar nga fakti se, përkundër traditës kosovare të punësimit mashkullor në bujqësi dhe në industri të rëndë, shumë sektorë të rinjë si shërbimet konsumatore preferojnë punësimin e femrave, gati tërësisht në pozita sekondare, me efekte të ndjeshme edhe në strukturën familjare. Natyrisht, firmave të mëdha private u konvenon ruajtja e gjendjes së çorganizimit punëtor dhe vakumit ligjor në fushën e mbrojtjes së punëtorit (qoftë në mungesën e legjislacionit, qoftë në mungesën e zbatimit të legjislacionit ekzistues), sepse i ruan kushtet për super-eksploatim që mundëson nxjerrjen e përfitimeve të mëdha në kurriz të punëtorëve. Ndërmarrësi paguan minimumin e mundshëm për djersën e punëtorit, duke mos marrë asnjë përgjegjësi për mirëqenien e punëtorit dhe të familjes së tij/saj. Shteti, kryesisht nga mungesa e vullnetit politik, nuk merr rolin që i takon në ndërmjetësimin e kontratës dhe në përcaktimin e kushteve të punësimit, që, përveç pagesës mbi një minimum të caktuar, detyron punëdhënësin të paguaj kontributet shoqërore, invalidore dhe pensionale për punëtorët, si dhe të garantojë respekt për të punësuarin dhe mbrojtjen e dinjitetit të punës.

Se gjendja ekonomike është alarmante e dëshmon jo vetëm shkalla e papunësisë prej mbi 40%. Një nga gjetjet interesante të sondazheve të UNDP-së të të ashtuquajturit “Paralajmërin të hershëm” janë dy trende: (1) që nga viti 2006 (dmth periudha pak kohë para shpalljes së pavarësisë), shohim një rritje marramendëse të gatishmërisë së qytetarëve për të protestuar kundër gjendjes ekonomike, ku tashmë deri në 80% të popullatës janë të gatshëm për protesta ekonomike dhe (2) që nga e njëjta periudhë, shumica dërrmuese e qytetarëve identifikon drejtpërsëdrejti Qeverisë si përgjegjëse për gjendjen ekonomike, kundrejt përgjegjësisë që më parë ndahej midis Qeverisë dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, konkretisht UNMIK-ut. Kjo dëshmon një gjë: problemi në Kosovë nuk është vetëm papunësia, por pasiguria dhe perspektiva e zymtë ekonomike. Mbajtja e një vendi të punës nuk përbën kurrfarë garance ekonomike, sidomos në ambientin e sotëm ekonomik të determinuar nga jostabiliteti i tregut të punës. Ndryshe nuk shpjegohet fakti se përqindja e atyre të gatshëm për protesta ekonomike është dyfish më i lartë se përqindja e popullatës së papunësuar. Me një fjalë, nuk janë vetëm të papunësuarit ata që janë të gatshëm të protestojnë, por edhe të punësuarit. Madje, të punësuarit, sidomos në sektorët që gjenden pranë organizimit sindikal, posedojnë gjithashtu edhe mjetet organizative për organizimin e protestave, mjete që të papunët, si një popullatë amorfe dhe e paorganizuar, nuk i kanë. Rreziku i të ashtuquajturit “shpërthim social” vjen nga sektorët e organizuar të punëtorëve dhe i atyre që do të organizohen, e jo të të dëshpëruarve dhe të skamnorëve që gjenden jashtë kuadrit formal ekonomik.

Nga kjo pasqyrë e kemi të qartë që Kosova, ballafaqohet jo me krizë ekonomike, por me krizë sociale. Kriza sociale është cilësisht e ndryshme nga kriza ekonomike. Kjo e fundit ka të bëjë vetëm me aktivitetet ekonomike, të shprehura në një shifër abstrakte (p.sh. përiqindja e ngritjes apo rënies së prodhimit bruto të vendit), por ato, si të tilla, nuk tregojnë asgjë për realitetet shoqërore të një vendi. Aktivitetet ekonomike ndodhin edhe në kushte krize, në kushte katastrofe, në kushte varfërie të skajshme, por edhe në kushte lufte, madje në këto kushte aktivitetet ekonomike mund të jenë shumë profitabile. Aq më tepër që krizë ekonomike zyrtarisht nuk ka, sepse sipas Ministrisë për Ekonomi dhe Financa, Kosova sivjet do të shënojë rritje ekonomike, ashtu siç ka shënuar çdo vit që prej vitit 1999. Aktivitete ekonomike në Kosovë ka, problemi është se brenda çfarë strukture ndodhin, ku gjenerohet mbivlera (profiti) dhe si shpërndahet ajo shoqërisht. Ajo që po bëhet e qartë nga dëshmitë është se kapitalizmi kosovar po shkon drejt përqëndrimit të kësaj mbivlere në duart e një pakice të vogël që, përmes lidhjeve dhe rrjeteve formale dhe jo-formale, po e dominon ekonominë kosovare duke përfituar nga ajo në krah të shumicës së varfëruar dhe të lënë në një gjendje të përhershme të jetës në margjinat e ekzistencës ekonomike.

Në këto kushte, një gjë është pozitive, e ajo është që qytetarët e Kosovës e kanë gjithnjë e më të qartë adresën e përgjegjësisë politike për krizën sociale. Ata janë të gatshëm që pakënaqësitë e tyre t’i kanalizojnë në protesta, si në greva dhe demonstrata. Por, përveç adresës, kjo krizë ka edhe emër, një përfaqësim ideologjik. Ideologjia, duhet patur shumë qartë, nuk është vetëm një përmbajtje formale, një sërë premisash dhe doktrinash mbi rendin shoqëror, por është në radhë të parë FORMA e artikulimit dhe distribuimit të asaj përmbajtjeje, ashtu sikur në ekonomi, vlera e një malli nuk determinohet nga përmbajtja e brendshme e tij, por nga mënyra e prodhimit dhe e shpërndarjes së tij. Patem fatin e mirë që ideologjinë dominante, atë që në emër të lirisë dhe demokracisë ka prodhuar premisat institucionale për krizën e sotme, ta vështrojmë në shfaqje para pak dite nga ambasadori amerikan në Kosovë. Ambasadori ngriti dy ankesa, në dukje të lidhura logjikisht njëra me tjetrën. Ai u ankua se në Kosovë shteti kontrollon së tepërmi ekonominë, duke na e dhënë të kulluar sërish doktrinën neoliberale që bën thirrje për akoma privatizime. Sugjeroi që privatizimet shmangin korrupsionin, ndërsa harroi faktin se vetë dukuria e korrupsionit, jo vetëm në Kosovë por në terë Evropën lindore, lidhet drejtpërdrejtë me procesin e privatizimeve. E dyta, ai kritikoi partitë ekzistuese duke u ankuar se në Kosovë nuk ka parti politike që përfaqësojnë interesat qytetare. Me një fjalë, ai bëri thirrje për akoma privatizime dhe akoma zhveshje të shtetit të Kosovës nga detyrat ekonomike, si dhe bëri ftesë për daljen e partive të reja, padyshim të tilla që do t’i implementojnë pëlqimet ideologjike të ambasadorit, pasi që ato aktualet me sa duket nuk po bëjnë mjaft në këtë drejtim, edhe pse po e ndjekin me përpikmëri programin ekonomik që gëzon përkrahjen e ambasadorit dhe miqëve të Kosovës në institucionet ndërkombëtare financiare. Ambasadori bëri dy gjeste këtu – përveç që artikuloi doktrinën neoliberale në përmbajtjen formale të saj (më shumë privatizime, shtet të tredhur nga funksionet sociale dhe ekonomike, parti që përfaqësojnë interesat qytetare sipas idealit liberal të ambasadorit etj.), ai gjithashtu na e shpërfaqi formulën operuese të ideologjisë neoliberale, e kjo është paraqitja e saj e përhershme në formën e një kritike ndaj rendit ekzistues (po e lëmë mënjanë për momentin faktin se pozicioni nga i cili artikulohet kjo kritikë, ajo e një ambasadori të një shteti të fuqishëm, lë shumë për të dëshiruar për kah ndershmëria, objektiviteti dhe paanësia e asaj që është thënë). Këtu edhe qëndron një pjesë e efektivitetit simbolik të saj – neoliberalizmi mohon në çdo moment realitetin institucional që ai vetë ka prodhuar: krizë sociale, shtet dhe ekonomi të korruptuara, parti politike të deligjitimuara, qeverisje kleptokratike. Karshi këtyre realiteteve, neoliberalizmi thotë: nuk është bërë mjaft, duhet shkuar edhe më tej! Larg këtij deformimi ideologjik, e vërteta duhet të thuhet: kriza ka emër, kurse emri i tij është neoliberalizëm.

Botuar te Koha Ditore, 25 shkurt 2010

Të qenurit bashkë mjafton

February 14th, 2010

Në kritikat e zakonshme ndaj shoqërisë civile, kryesorja është se ajo nuk bën asgjë, se është e korruptuar (në dy format e saj: atë material dhe etik), se nuk e mbron të ashtuquajturin interes publik, etj. Të gjitha këto janë pamjaftueshmërisht të sakta, sepse mbi të gjitha, ne ende nuk e dijmë se çka është sot shoqëria civile. Sipas Besnik Pulës, emërtimi shoqëri civile përdorët shpesh nga oportunistë (politikë e ekonomikë), duke e kualifikuar të ashtuquajturën shoqëri civile me emërtimin ‘shoqëri e oportunistëve civilë’. Por, si funksionon predikati “oportunist” karshi materialitetit ideologjik në të cilën oportunizmi civil funksionon shoqërisht? Unë konsideroj se rehabilitimi i një sërë koncepteve dhe termeve, të harruara nga kohët e vjetra të socializmit, sot është më se i domosdoshëm për të definuar (ndërmjet tjerash edhe) funksionimin e asaj që ne sot e quajmë shoqëri civile.

Hegeli e definion shoqërinë civile si gjithçka që nuk është në kuadër të shtetit dhe familjes. Shoqëria civile NUK është ky grumbull jokonsistent i organizatave joqeveritare, të ashtuquajturave institute e forume, të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë nga donacionet e huaja. Kjo është forma më arrogante e përvetësimit të konceptit të shoqërisë civile. Baza ideologjike mbi të cilën shoqëria e ndërton aktivitetin e vet, dhe njëkohësisht e arsyeton atë, nuk ka se si të emërtohet ndryshe përveç se reaksionare. Dhe kjo nuk duhet të na zbrapsë nga ata, e për më tepër, nuk duhet të frikësohemi t’i quajmë reaksionarë. Sepse ky është parakushti i dytë. Forcat progresive të vendit tonë, të organizuar nën strehën e asaj që arbitrarisht e kualifikojnë si shoqëri civile, dhe në mënyrën më të paturpshme e quajnë veten përfaqësues të saj, janë thelbësisht reaksionare. Duke u nisur nga përkufizimi i Hegelit për shoqërinë civile, të gjithë ne, pa dallim, jemi pjesë e shoqërisë civile. Dhe unë, kategorikisht refuzoj që reaksionarët e organizatave, instituteve e forumeve të më përfaqësojnë mua. Por, kjo është prapë e pamjaftushme. Ne, të gjithë, duhet të insistojmë jo vetëm në kritikën ndaj kësaj forme të reaksionit, por të krijojmë hapësirën tonë të veprimit politik e intelektual, e cila në strukturimin e vet do të ishte jo vetëm jashtë këtij spektri reaksionar, por në të njejtën kohë edhe kundër saj. Siç do të thoshte Mao, është e drejtë të rebelohesh kundër reaksionarëve!

Deklarata e fundit e këtij grumbulli të organizatave e instituteve pahtësoi atë që të gjithë e dinim: impotencën dhe obskurantizmin e vet. Këta njerëz pretentonin se deklarata ishte kundër gjykimit të Albin Kurtit. Deklarata e forcave progresive të vendit ishte shpërfaqja e maskës së tyre ideologjike. Dhe me këtë, nuk po e luaj lojën vullgare Marksiste të ‘zbulimit të përmbajtjes së fshehur mbrapa maskës’ – në fakt, çështja qëndron në analizimin e vet kësaj maske, si shprehje shoqërore e përmbajtjes. Deklarata e shoqërisë progresive civile thotë kështu: “Shoqëria civile, por sigurisht edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, nuk dëshirojnë të paragjykojnë për punën e EULEX-it apo të ndërhyjnë në zbatimin e drejtësisë. Megjithatë bindja jonë është që në kandarin e prioriteteve të Kosovës, më me peshë është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar se sa trajtimi i rastit të z. Kurti”. Përfundimisht nuk kemi se çka të paragjykojmë për punën e EULEX-it, sepse puna e tyre tani më shihet. Këtu duhet kundërshtuar ‘bindjen e përgjithshme’ se EULEX-i nuk ka bërë asgjë, se të gjitha fjalët e tyre janë të zbrazëta, etj. Vet prania e tyre në Kosovë, është një veprim kolonialist. Pastaj, marrëveshjet me Serbinë, Shqipërinë e Malin e Zi, e kështu me radhë. Gjykimi i Albinit nuk është ‘devijim’, ose ‘gabim’ në punën e EULEX-it, në kuptimin që një burokrat i padijshëm ka vendosur ta ri-inicoj këtë gjykim pa qenë i vetëdijshëm për pasojat. Është pikërisht e kundërta: gjykimi kundër Albinit është pikërisht në natyrën e EULEX-it. Ndërsa, deklarata nuk bën thirrje për ta përfunduar rastin Kurti si të tillë, por shtyrjen e tij, sepse, sipas kësaj logjike, ky gjykim duhet të ndodhë më vonë, pasi EULEX-i ta përmirësojë imazhin e vet, etj. Dhe në këtë kontekst, shoqëria oportuniste civile është më e brengosur se vet EULEX-i për imazhin e të fundit. Por, ajo që ata e harrojnë është se EULEX-i nuk mund të ketë imazh tjetër, sepse natyra e ekzistencës së tij nuk e lejon atë. Po në këtë frymë, deklarata vazhdon kështu: “çelës i suksesit të misionit të EULEX-it në Kosovë është mbështetja që qytetarët e Kosovës do t’ia japë këtij misioni. I bëjmë thirrje EULEX-it që të përqendrohet në përmbushjen e misionit të vet dhe të ndihmojë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë që të shohim Kosovën duke bërë progres në integrimet evropiane dhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit”. Në fakt, EULEX-i po punon suksesshëm në përmbushjen e misionit të tij. Iluzioni që duhet braktisur me çdo kusht është entuziazmimi nga deklaratat e zyrtarëve të EULEX-it, të cilat më pastaj përforcohen nga aparatet ideologjike shtetërore, me shoqërinë civile si aparate sublime ideologjike. EULEX-i nuk do ta bëj Kosovën shtet. Parakushti për t’u bërë Kosova shtet është largimi i EULEX-it nga Kosova. Më një fjalë, ajo çka shoqëria civile na thotë mund të përmbledhet kështu: ‘kapu pas iluzionit – dorëzohu!’.

Poeti modernist amerikan Wallace Stevens, poezinë e tij “Final Soliloquy of the Interior Paramour” e përfundon kështu: “të qenurit bashkë mjafton”. Të qenurit bashkë, kundër reaksionarëve, mjafton! Mao thotë se të gjithë reaksionarët janë tigra prej letre – aparenca e tyre është tmerruese, por në realitet, ata nuk janë aq të fuqishëm. Dhe Mao ka të drejtë, në periudhën afatgjate, nuk janë reaksionarët, por masat ato që janë të fuqishme. Reaksionarët e politikës ose të shoqërisë civile, janë tigra prej letre sepse janë të shkëputur nga masat. Andaj, të qenurit bashkë na mjafton!

Botuar në Koha Ditore, 14 shkurt 2010

Sundimi i ligjit kundër drejtësisë

January 31st, 2010

Besnik Pula

Këto ditë u kumtua lajmi për gjykimin e sërishëm të Albin Kurtit, kësaj radhe nga prokuroria dhe gjykatësit e EULEX-it. Albin Kurti kishte qenë më parë subjekt i drejtësisë ndërkombëtare, duke u gjykuar nga prokuroria dhe gjykatësit e UNMIK-ut në vitin 2007. Atëherë, sikur kësaj radhe, akuza është e njëjtë, dhe ka të bëjë me rolin e tij në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje të shkurtit 2007, e cila kishte rezultuar në vrasjen e dy protestuesve nga policia ndërkombëtare dhe lëndimin e dhjetëra të tjerëve nga dhuna policore. Atëherë, sikur sot, kemi të bëjmë pak apo aspak me drejtësinë, dhe shumë me përdorimin politik të instrumenteve ligjore dhe represive kundër kundërshtarëve politikë të regjimit aktual dhe të kritikëve të sundimit ndërkombëtar në Kosovë.

Pavarësisht se sa kanë luajtur rol motivet politike në nxitjen e vendimit të prokurorisë së EULEX-it për rigjykimin e Albinit, këtu qartë kemi të bëjmë me një rast ku ligji, përmes kryerjes së një padrejtësie, shërben si mjet për legjitimimin dhe shpërlarjen e padrejtësive tjera. Në fakt, kemi të bëjmë me një varg padrejtësish, që ndjekin pas si fantazmë karrierën gjyqësore të kësaj lënde.

Padrejtësia e parë është vetë lënda gjyqësore si e tillë. Gjykimi kundër Albin Kurtit, i mbajtur gjatë vitit 2007 nën përkujdesjen e prokurorisë së UNMIK-ut, u dëshmua atëbotë si një debakël total juridik. E para, ekzistonte një kontest serioz rreth bazës materiale të akuzës, që pandeh se Albini ka nxitur turmën në dhunë gjatë protestës së Lëvizjes Vetëvendosje të shkurit 2007. Nga video-xhirimet e protestës, që janë të shumta dhe gjehen kollaj në Internet, shihet qartë se elementi i dhunshëm në demonstratë kanë qenë jo protestuesit, por policia. Sipas hetimeve të bëra nga një panel i UNMIK-ut, është konstatuar se njëri nga viktimat e protestës është qëlluar nga pas, domethënë kur ka qenë në ikje e sipër nga policia, që tregon se në këtë rast, dhuna policore është përdorur në ofansivë, jo në mbrojtje. Për më tepër, në asnjë moment nuk ka pasë sulm nga protestuesit kundër policisë e as vërsulje drejt ndërtesave qeveritare që policia ka qenë angazhuar t’i mbrojë. Përgjegjësi kryesor për eskalimin e dhunës në protestën e shkurtit 2007 kanë qenë dhe janë njësitet e policisë së UNMIK-ut.

E dyta, për ta mbuluar skandalin e vet, atë të policëve rumunë të UNMIK-un që efektivisht ekzekutuan dy protestues, ajo tentoi që përgjegjësinë t’ia hedhë Albinit si udhëheqës të protestës, të organizuar nga një lëvizje që nuk bëri asgjë më shumë se sa të ushtrojë të drejtën elementare qytetare për t’u tubuar dhe shprehur pakënaqësinë e vet. E treta, gjykimi që pasoi u ndoq gjatë tërë kohës me gabime serioze procedurale, ikjen e njëpasnjëshme të avokatëve mbrojtës dhe arrogancën e gjykatësve që tejkalonte çdo mandat juridik. Për shkak të paaftësisë dhe jokompetencës së prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtarë, Albini vuajti nëntë muaj nëpër burgje – edhe pse gjykata nuk arriti të dëshmojë asnjëherë se Albini ka kryer çfarëdo akti kriminal. Mirëpo, nga fakti se procesi gjyqësor tani, me EULEX-in, nuk vazhdon, por fillon nga e para (efektivisht duke e gjykuar Albinin dy herë për të njëjtën akuzë, diçka që është e ndaluar me ligj), kjo i bie që, sipas EULEX-it, Albini kurrë nuk ka qenë në paraburgim, me çka hapet rruga për burgosje të sërishme, pavarësisht nëse gjyqi arrin të dëshmojë fajësinë kriminale apo jo.

Dhe, padyshim, padrejtësia më e madhe është se vrasësit e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, dy protestuesve që e pësuan fatalisht më shkurt 2007, asnjëherë nuk u sollën para asnjë gjykate. Shpejt pas incidentit, UNMIK-u liroi nga detyra njësitin rumun, i cili me shpejtësi iku andej prej nga erdhi, që vrasësit të vazhdojnë jetën e tyre thuajse nuk ndodhi asgjë, aq më tepër duke u kompezuar për “shërbimet” e tyre me pagë nga buxheti i OKB-së. Paneli hetues i UNMIK-ut, në raportin e tij të qershorit 2008, konkudoi se vrasjet e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt ishin “të panevojshme dhe të shmangshme”, dhe se kishin ndodhur nga përdorimi i tepërt i dhunës policore. Por, në vend të drejtësisë për viktimat, atëherë, sikur sot, gjykohet Albin Kurti, në një përpjekje për ta bërë atë përgjegjës për dhunën e asaj dite, dhe duke tentuar që t’i dërgojë mesazh të qartë kërcënues Lëvizjes Vetëvendosje dhe çdo lëvizje tjetër që me kërkesat dhe veprimet e tij tejkalon kufijtë e të lejueshmës politike në Kosovë.

I ballafaquar me dështimin e tij të radhës, pasi që po dëshmohej se UNMIK-u nuk di të organizojë as dhe një gjykim të mirëfilltë (duke dështuar, madje, në aspektet më elementare teknike dhe formale të gjykimit), më 2007 gjykata papritur kishte pezulluar lëndën. Por kjo, tashmë është e qartë, ishte taktikë vonuese – rasti do të futej në sirtar (përkujtojmë se kjo ishte periudha e ndjeshme e negociatave për statusin e Kosovës) deri në ardhjen e një momenti më të përshtatshëm politik për rinisjen e procesit. Në ndërkohë gjykimi kishte shërbyer funksionin politik të mënjanimit të Albin Kurtit nga çfarëdo interventimi dhe veprimtarie politike gjatë periudhës së negociatave të liderëve kosovarë me Serbinë, duke e izoluar atë në burg dhe duke tentuar që me këtë të dëmtohet dhe të dobësohet Lëvizja Vetëvendosje e cila ishte e vetmja forcë politike që aktivisht kundërshtonte negociatat dhe Pakon e Ahtisaarit.

Atëbotë mësuam edhe diçka nga puna e aparateve të sigurisë në Kosovë. Kjo është se sipas tyre, jo të gjithë të akuzuarit janë të njëjtë. Përderisa të akuzuarit me lidhje të fuqishme politike lirohen për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak, lihen të shëtisin lirshëm, gjatë gjykimeve i “humbin” dëshmitë dhe dëshmitarët etj., disa të tjerë kategorizohen si “shumë të rrezikshëm” (siç u kategorizua Albini) dhe ndaj tyre përdorën masa të veçanta izoluese. Nëse niveli i demokracisë në një shoqëri shihet nga veprimtaria e aparateve të tij të sigurisë, e kuptuam se ky aparat në Kosovë funksionon në formë selektive dhe përjashtuese, duke penalizuar të pafuqishmit dhe duke garantuar imunitet për të fuqishmit. Ky regjim, padyshim, vazhdon edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në emër dhe firmë.

Padrejtësia sot sërish shfaqet nën firmën e sundimit të ligjit, që kësaj radhe mban mbiemrin EULEX. E para, vetë fakti se gjykatat në Kosovë mund të hapin një lëndë, ta pezullojnë atë për një kohë, dhe ta rihapin sërish në të ardhmen përbën asgjë më shumë se sa një mekanizëm shantazhi politik. Aq më tepër kur i akuzuari vuan burgim pa iu shqiptuar asnjëherë asnjë dënim. Këtu qartazi kemi të bëjmë shumë pak me ligjin dhe drejtësinë, e shumë më tepër me presionin politik që drejtohet apo gëzon mbështetjen e qarqeve të larta politike të EULEX-it dhe kompleksit diplomatiko-politik të Prishtinës që qëndron mbrapa tij.

E dyta, fakti se mu kjo lëndë është prioritet i lëndëve në sirtarin e EULEX-it flet shumë për karakterin e këtij institucioni. Qytetari mesatar në Kosovë ka shpresuar se EULEX-i do të angazhohet për të ndalur format më flagrante dhe më të rënda të kriminalitetit në Kosovë, disa nga të cilat ndodhin brenda apo nën ombrellën e qarqeve të larta politike. Mirëpo, po bëhet e qartë se EULEX-i preferon të gjykojë figura publike të pavarura si Albin Kurti, që nuk kanë padronë të fuqishëm politikë, ekonomikë e diplomatikë mbrapa tyre. Gjithmonë në emër të sundimit të ligjit.

Perversitetet e shumta të këtij procesi kanë shumë pak të bëjnë me drejtësinë. Gjykimi i sërishëm i Albin Kurtit vetëm na përkujton – tragjikisht dhe revoltueshëm – për njëanshmërinë, joefektivitetetin, politizimin dhe – thjeshtë – ideologjizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe arrogancën e një sistemi juridik që shfaqet, in flagrante delicto, duke kryer padrejtësi.

Botuar te Koha Ditore, 30 janar 2010

Kundër ligjit

January 28th, 2010

Agon Hamza

Viteve të fundit gjithnjë e më shumë po shkruhet e po flitet për Kosovën si vend i kolonizuar. Madje edhe në qarqe të caktuara progresive ndërkombëtare, pranohet fakti mbi Kosovën si vend të kolonizuar, ndërsa disa filozofë e quajnë vend të okupuar. Por, cila është forma e kolonizimit/okupimit të Kosovës? Ose më saktë (thënë në diskursin Althusserian), pyetja që duhet shtruar është mbi çështjen e “marrëdhënies me objektin e tij” – dmth, cili është raporti ndërmjet politikave kolonizuese dhe objektit të kolonizuar?
Ndërmjet të ashtuquajturit kolonializëm klasik të shekullit të kaluar dhe kolonializmit të epokës së kapitalizmit të vonshëm global ekziston një dallim krucial: i pari mbulohej nën maskën e “civilizimit të aborigjinëve”, ndërsa i dyti vepron nën masken e “demokratizimit të popujve”. Që nga viti 1999 e tutje, ne i takojmë kategorisë së dytë. Për më tepër, Pako e Ahtisaarit vetëm se e sublimoi (por nuk e lartësoi) këtë status në një nivel tjetër: në nivel të Kushtetutës Shtetërore. Por, në instancë të fundit, siç shkruan Althusser, Kushtetuta është “unifikim dhe sistematizim i ideologjisë dominuese, si mjeti krucial për hegemoninë ideologjike të Shtetit”. Dmth, Kushtetuta e Republikës së Kosovës qëndron si mjeti kryesor ideologjik e politik shtetëror për zbatimin e Pakos të Ahtisaarit; ajo qëndron nën Pakon, sepse është mjet i Pakos. Pakoja e Ahtisaarit është instanca e fundit e përcaktimit të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, ndërsa Kushtetuta është mjet për këtë.

Nëse flirtojmë me konceptin e homo sacer të Giorgio Agamben, atëherë rezultati i leximit të Pakos së Ahtisaarit (si dokument juridik) del se ne, qytetarët e Kosovës, jemi zyrarisht qenie homo sacer: njerëz të de-subjektivizuar nga çfarëdo përmbajtje juridike – shkurt, ne jemi shndërruar në njerëz, vrasja e të cilëve nuk përbën krim (kujto 10 shkurtin 2007). Ndërsa, në leximin tjetër të Pakos së Ahtisaarit (si dokument ideologjik), rezulton në konstatimin se përceptimin racist nga optika e Brukselit e Washingtonit për shoqërinë kosovare si shoqëri të kriminalizuar, skajshmërisht të dhunshme, etj (dëshmi për këtë janë KFOR–i, misioni i EULEX, etj). Në këtë kontekst, a nuk është Albin Kurti rasti më eklatant i sintetizimit të këtyre dy anëve të racizmit kolonialist në Kosovë?

I arrestuar për herë të fundit në shkurt të vitit 2007, ai u akuzua nga UNMIK–u si përgjegjës për vrasjen e dy demonstruesve dhe plagosjen e mbi tetëdhjetë të tjerëve nga njësitë e xhandarmarisë në kuadër të policisë së UNMIK–ut. Në një proces kryekëput politik, ai u mbajt në arrest (shtëpiak ose në burg) pothuajse një vit. Gjykimi nuk përfundoi por (siç do të thoshte Albini), ai u shty përkohësisht, por për një afat të pacaktuar (si edhe gjithçka tjetër në Kosovë). Për çka realisht akuzohet Albini?

Të rikthehem tek Agamben dhe analiza e tij e shkëlqyeshme mbi sovranitetin. Paradoksi i sovranitetit, thotë Agamben konsiston në pozitën e dyfishtë të sovranit përbrenda dhe jashtë rendit juridik: ai ekziston jashtë rendit juridik, në formën e Master–Shënjuesit për rendin juridik, ndërsa paradoksalisht shndërrohet vet në rendin juridik të vendit. Ky status paradoksal, ekziston për një qëllim: shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Fuqia sovrane jashtë rendit juridik dhe fuqia sovrane në/e rendit juridik varen nga njëra tjetra, sepse prej të parës varet nëse do ta suspendon kushtetutën/ligjin ose jo. Sipas Agamben, ky paradoks formulohet kështu: “ligji është jashtë vetvetes”, ose “Unë, sovrani, që qëndroj jashtë ligjit, deklaroj se jashtë ligjit nuk ekziston asgjë”. Fjalinë e fundit e dëgjojmë për çdo ditë nga fuqia sovrane në Kosovë pra, nga administrata ndërkombëtare, që nga viti 1999 e tutje. Po këtë fjali e dëgjuam edhe me 10 shkurt 2007. Sovrani vrau dy dhe plagosi mbi 80 vetë. Pastaj, na thanë se është zbatuar ligji. Siç thotë Schmitt, sovrani e prodhon dhe e garanton situatën në totalitetin e vet. Fuqia sovrane në Republikën e Kosovës padyshim se nuk janë qytetarët e Kosovës. Në raport me fuqinë sovrane, ne ekzistojmë në nivel të objektit. Raporti ndërmjet objektit dhe subjektit (të interpeluar) është raporti i mosekzistencës së të dyjave. Siç thotë Althusser, objekti është reflektim pasqyror i subjektit. Sepse subjekti i intepeluar ideologjikisht nuk është subjekt politik; ai eksiston në nivel të nocionit, dhe për më tepër, në nivel të nocionit statik. Thënë në nivelin shumë elementar, nga subjekti=objekt i interpeluar ideologjikisht nëpërmjet praktikave ideologjike, nuk ka nevojë dhe nuk duhet të mendojë ose të veprojë: thjeshtë, ai duhet të jetë objekt i hegjemonisë ideologjike Shtetërore. Pako e Ahtisaarit, ekziston si ligji suprem i Kosovës, dhe si i tillë qëndron jashtë rendit juridik të vendit, dhe deklaron se jashtë ligjit nuk ekziston asgjë. Por, ligji jashtë vetes nuk ekziston ‘për veten’. Të gjitha misionet kolonizuese ndërkombëtare në Kosovë ekzistojnë jashtë ligjit: EULEX është mision ndërkombëtar për zbatimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, por ai nuk i nënshtrohet asnjë kornize ligjore të Kosovës. Dmth, institucionet të cilat në përshkrimin e misionit të tyre kanë për detyrë të zbatojnë ligjin, nuk i nënshtrohen dhe nuk përgjigjen para ligjit të cilit ata e zbatojnë. Duke qëndruar jashtë ligjit, ai nuk i nënshtrohet ligjit, ose thënë në termet juridike, ligji të cilin ai e ka për detyrë ta zbatojë, nuk e obligon zbatuesin.

Në këtë kontekst, rifillimi i gjykimit të Albinit nuk duhet të shihet nga optika humaniste e të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut, sado dashamirëse që mund të tingëllojnë, në thelb kanë misionin depolitizues. Ato e depolitizojnë kauzën politike mbi të cilën kryhet një akt politik. Natyrisht, të gjithë ne duhet të jemi të vetëdijshëm për të gjitha shkeljet procedurale gjatë procedurës gjyqërore ndaj Albinit – dhe në nivelin empirik imediat, rasti gjyqësor mund të fitohet në këtë nivel. Në fakt, në nivelin brutal empirik, duhet të insistohet në këtë metodë.

Por, cili është vërtetë çështja që duhet luftuar me çdo kusht? Mbi të gjitha dhe para së gjithash, Albini është aktivist shoqëroro–politik. Ai është thelbësisht politik. Aktakuza kundër tij është ngritur duke e marrë për bazë një akt politik: demonstratën kundër Pakos së Ahtisaarit. Dhe gjykimi kundër tij është gjykim politik. Ky gjykim mund dhe duhet të luftohet vetëm politikisht. Kjo do të thotë që, në vend se të hulumtohen zbraztësirat, deformimet e ligjeve partikulare ekzistuese, ne duhet më urgjentisht se kurrë në luftimin e tërësisë së sistemit juridik të Republikës së Kosovës. Është vetëm luftimi i këtij univerzaliteti juridik të Kosovës, kësaj shkelje flagrante të potencialitetit politik, domosdoshmëria politike e kohës sonë. Në Kritikën rreth Filozofisë Hegeliane të së Drejtës, Marksi i ri shkruante për Gjermaninë e shekullit 18: “regjimi gjerman i sotëm, – ky anakronizëm, kjo antitezë flagrante e aksiomave të pranuara nga të gjithë, ky nulitet i ancien régime, i nxjerrë në pah faqe gjithë botës, – vetëm sa kujton se i beson vetes dhe kërkon që edhe bota të kujtojë kështu. Në qoftë se ai do të besonte me të vërtetë në thelbin e vet, pse do të fshihte ai atë nën dukën e një thelbi tjetër dhe të kërkonte shpëtimin e vet në hipokrizinë dhe në sofizmat? Ancien
régime i sotëm është më tepër komediani i një rendi botëror, heronjtë e vërtetë të të cilit kanë vdekur”. Prandaj, luftimi i sistemit juridik të Kosovës, këtij sanksionimi arrogant të mundësisë sonë politike e ekonomike, është imperativ politik. Duhet bërë një shkëputje praktike nga rendi ekzistues shoqëror, i sanksionuar në sistemin juridik. Mohimi i rendit juridik ekzistues nuk mund të realizohet pa e shkatërruar plotësisht rendin shoqëror që ka nevojë për këtë rend. Dhe këto dyja, e tejkalojnë çdo kufizim humanist të imponuar nga doktrina e të drejtave të njeriut: kjo çështje kërkon akte brutale politike.

Botuar në Koha Ditore &Gazeta, 27 Janar 2010

Absolutisht imperializëm

January 19th, 2010

Haiti është duke e pësuar katastrofën e vet të radhës: pasojat në njerëz (sipas numrave nga zyrtarët e qeverisë, rreth 500.000 njerëz mbetën të vrarë), kryeqyteti Port-au-Prince është shkatërruar plotësisht, ndërsa vendi është zhytur në njërën ndër katastrofat ‘humanitare’ të radhës (termetet e 1770, 1842, pastaj uraganet e “rregullta”, si ai i vitit 2004 e 2008, stuhia e vitit 2008, etj. Kur krejt kësaj ia shtojmë edhe politikat imperialiste, të implementuara kryesisht nga SHBA-ja, Haiti nuk mbetet tjetër veçse vend i mallkuar i hemisferës Perëndimore, i kundërt me brengosjen liberale për Haitin si “vendi më i varfër i hemisferës Perëndimore”. Por, cilat janë realisht implikimet politike e ekonomike nga ky kualifikim shpirtëmirë liberal?

Menjëherë pas termetit katastrofal, bota u ngritë në këmbë për të ndihmuar Haitin: ndihmat humanitare, qindra miliona euro e dollarë u premtuan për të tejkaluar pasojat e termetit. Madje, edhe qeveria e Kosovës dha 50 mijë euro ndihmë. Në këtë kurs të politikës humanitare, të cilët liberalët menxi e presin, edhe Brat Pitt e Angelina Jolie u tmerruan nga pasojat e termetit dhe kështu, i dhuruan 1 milion dollarë ndihmë. Dhe në këtë mënyrë, ndërgjegja e tyre humanitare u qetësua. Në anën tjetër, Obama përveç ushqimeve, ujit të pastër, medikamenteve, etj, do të dërgojë edhe ushtarë. Çfarë akti humanitar! Ne ju ushqejmë, ju veshim, ju shërojmë nga pakës, ju ndihmojmë t’i varrosni viktimat, por në anën tjetër ju shndërrojmë në aneks ushtarak. Në këtë kontekst, Elizi Dantò një kolumne të botuar ditëve të fundit, ka plotësisht të drejtë kur thotë “SHBA shko në shtëpi! Haiti nuk ka nevojë për më tepër dhimbje” (titulli i kolumnës). Në këtë kontekst, deklarata (tani më e famshme) e Žižek, që i tmerroi liberalët shpirtëmirë është tërësisht operative: bamirësia/humanitarizmi funksionin si maskë humanitare për eksploatimin ekonomik. A nuk është kjo që po ndodhë sot (jo vetëm) në Haiti? Shkak të numrit të madh të rrënimeve dhe vdekjeve në Haiti, na thonë ekspertët e statikës, na qenkan ndërtimet e dobëta, të cilat nuk do t’i përballonin as dridhjet shumë më të vogla se 7.5 shkallë të Rihterit. E saktë, por pse po këta ekspertë nuk merren me shkaqet e këtyre ndërtimeve?

Në librin e tij Damming the Flood: Haiti, Aristide, and the Politics of Containment (2007), Peter Hallward, i cili qe shumë kohë merret me Haitin, shkruan se “taktikat e vjetëruara të “promovimit të demokracisë” nuk janë aplikuar asnjëherë me efekt kaq shkatërrues se sa në Haiti ndërmjet viteve 2000 dhe 2004”. Si rezultat i ‘promovimit të demokracisë’ në Haiti, shujta më e kërkuara janë biskotat e shtypura nga balta, të lagura dhe të “aromatizuara” me ujin e njelmët të detit. A nuk është rasti i ish-presidentit Jean-Bertrana Aristide shembulli më eklatant i ‘promovimit të demokracisë’? I zgjedhur me mbi 75% të elektoratit në vitin 2004, ai u largua nga pushteti në një coup d’etat të sponzorizuar nga SHBA-të dhe nga “aleatët” (ky ishte rasti i dytë i largimit të Aristide’s nga pushteti), duke e zëvendësuar atë me liderë/kukulla të korruptuar e të dëgjueshëm. Siç thoshte Aristide në njërën nga intervistat me Hallward, secila përpjekje për t’u ngritur “nga mjerimi absolut në varfëri të dinjitetshme”, bllokohej dhunshëm dhe me kujdes nga SHBA-ja. Në një kolumne të botuar para disa ditësh në The Guardian, Hallward shkruan se Haiti tani është një vend ku, sipas studimeve më të mira që ekzistojnë, rreth 75% e popullatës jeton me me pak se dy dollarë në ditë, dhe 56% – katër million e gjysmë njerëz – jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë, dhe “dhe dekatat e ‘përshtatjes’ dhe intervenimit neo–imperialist e kanë grabitur qeverinë e vendit nga çfarëdo kapaciteti të rëndësishëm/domethënës për të investuar në njerëzit dhe të rregulloj ekonominë”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ia premtoi Haitit një kredi 100 milion dollarëshe. Por, ky është momenti kur bamirësia, humanitarizmi etj, e humbin rëndësinë në raport me seriozitetin e drejtësisë. Kjo kredi u kushtëzua me reformat neoliberale, që në përkthimin në të ashtuquajturat terme praktike, do të thotë shkurtimi i pagave publike, i shërbimeve publike, etj. A nuk është duke u zbatuar e njejta politikë në Kosovë? Hashim Thaçi thotë se po ndërton rrugë, shkolla, etj. Paçka që kualitativisht ato duket të jenë nën çdo nivel (nëse kurgjo, shiheni invencionin rrugor në autorrugët jashtë Prishtinës, ky korsitë janë të ndara fizikisht), atop o ndërtohen me para të huaja: një shok i imi propozonte që autorrugët në Kosovë të emërtohen me “autorruga e mësuesve/mjekëve/punëtorëve, etj” – sepse, duke e thjeshtëzuar krejtësisht, këto rrugë ndërtohen me para të mësuesve, mjekëve, punëtorëve. Reformat neoliberale nënkuptojnë ende më shumë: FMN nuk lejon rritjen e pagave në sektorin publik, nuk lejon intervenimin e shtetit ne ekonomi, kulturë, etj. Por, si do të duket gjendja socio–ekonomike në Haiti pas këtyre reformave? Nëse Kosova vazhdon (dhe kjo qeveria Thaçi veçse e konfirmoi vazhdimin) e reformave neoliberale, në nivelin ekonomik Kosova do të shkon drejtë Haiti-zimit, ose drejt Latin Amerikanizimit: në kohët e krizava, imperializmi amerikan jepte para në formë të injeksionit për ta stabilizuar përkohësisht ekonominë e vendeve të Amerikës Latine. Këtë formë e intervenimit, Naomi Klein e quan “shok doktrina”. Haiti sot po përballet me “shok doktrinën”. Kolumna e Bill Clinton (tani përfaqësues special i OKB-së për Haitin qysh para termetit) e bën të qartë këtë: përderisa ai fliste për rindërtimin dhe ‘zhvillimin’ e vendit, ai në mendje kishte kontratat që kompanitë amerikane do t’i fitojnë për rindërtim. E për më tepër, dhembshuria liberale na vjen prej njerit nga fajtorët direkt për gjendjen në Haiti.

Por, cili është mësimi që duhet mësuar nga Haiti, jo vetëm për haitianët, por për karaktetin universal që ka sot Haiti? Hallward shkruan se “nëse jemi serioz në ndihmën për këtë vend të shkatërruar, ne duhet ndaluar kontrollimin dhe eksploatimin e tij”. Pas shënjuesit “Haiti”, lista mund të vazhdoj tutje me Malin, Kosovën, Kongon, Afganistanin, Madagaskarin, etj. Domethënë, mësimi më i vlefshëm është që dashuria me SHBA-në është shumë e rrezikshme. E për më tepër, kjo dashuri bëhet ende më problematike (rrezikshme) kur SHBA-të na duan aq shumë neve, Haitin, Kongon, etj. Ose, duke përsëritur titullin cinik të një kolumne të botuar këto ditë në Common Dreams: termeti në Haiti, MADE IN USA.

Botuar në Koha Ditore, 19 Janar 2010

Braktisi iluzionet, ose pse duhet luftuar privatizimin

January 8th, 2010

Agon Hamza

Në aksionin e fundit për vitin e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje! thoshte se “sivjet Babadimri nuk pati dhurata; ato i morrën politikanët”. Nëse e dekontekstualizojmë përmbajtjen e aksionit të tyre dhe e marrim vetëm formën, atëherë përdredhja do të ishte kësi soji: politikanët jo vetëm që na i vodhën dhuratat, por po na i vjedhin edhe pasuritë e tanishme. Në një deklaratë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala tha se Qeveria synon që sivjet të privatizojë gjithçka që është e mundshme të privatizohet, ndërsa pjesa tjetër do të jepet me konsesion. Në anën tjetër, analistët/ekspertët e ekonomisë vazhdojnë me retorikën e stër-eksploatuar për privatizimin si të vetmen mundësi për menaxhim më efikas, shërbime më të mira, efikasitet, etj. Natyrisht, ata nuk e huqin asnjë shansë për të thënë se privatizimi është parakusht për hapje të vendeve të reja të punës dhe rrjedhimisht zbutje të varfërisë dhe parakusht i domosdoshëm për zhvillim ekonomik. Por, secila analizë empirike do të dëshmonte se me privatizimin e deri-tanishëm në Kosovë, efektet kanë qenë të kundërta nga pritjet: varfëria veçse është thelluar edhe më shumë (duke na bërë vendin më të varfër në Evropë dhe ndër vendet më të varfëra në botë, duke na krahasuar me Somalinë, Moldavinë, Kongon, etj), e ka rritur papunësinë dhe, natyrisht ekonomia e Kosovës pëson rënie të vazhdueshme. Ekspertët liberalë të ekonomisë na thonë se problemi nuk është në privatizimin si të tillë, por me mënyrën e privatizimit, me korrupsionin gjatë privatizimit, ku shumë kompani serioze u larguan nga Kosova, etj. Por, problemi është se vet kapitalizmi është i tillë: është formacion i organizimit ekonomik shoqëror i cili korrupsionin e ka pjesë esenciale të veten. Nuk është vetëm problemi i ‘njerëzve të paaftë dhe të korruptuar në Qeveri’ të cilët na sollën në këtë gjendje socio–ekonomike – është pikërisht struktura konstitutive e sistemit ekzistues politiko–juridik të Kosovës që ka nevojë për një strukturë të tillë politike. Problemi më i vogël sot do të ishte zëvendësimi i Thaçit me një politikan tjetër – Thaça ka gjithandej dhe të gatshëm për t’u inaguruar edhe zyrtarisht si të tillë. As ndërrimi i përfolur i ministrave nuk do të ndryshojë asgjë përveç se emrit. Çka do të thotë kjo?

Pasojat e privatizimit të gjithçkaje ekzistuese do të jenë katastrofale. Kosova ekziston si një entitet politikisht i zhveshur, formuluar sipas fjalorit të Giorgio Agamben. Kjo do të thotë që Kosova është tërësisht e desubjektivizuar politikisht, nuk është fuqi sovrane, nuk vendos vet për hapësirën e territorit të vet shtetëror, dhe para së gjithash, NUK ka fuqi ta përcaktojë gjendjen e jashtëzakonshme (të përjashtimit), e cila sipas Schmit dhe Agamben është faktor vendimtarë për përcaktimin e fuqisë sovrane ose sovranit si të tillë. Nëse e marrim për bazë një proverbë kineze, Republika e Kosovës ka një Qeveri e cila orientohet nga fyelli të cilit i biejnë strukturat kolonialiste ndërkombëtare dhe disa spekulantë të disa kompanive të vockla ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës NUK ka kontroll mbi asnjë vendim të rëndësishëm politik të dhe për vendin: shprehja “koordinim me partnerët ndërkombëtarë” është eufemizëm për “nënshtrim ndaj vendimeve të Padronëve ndërkombëtarë”. Me privatizimin e gjithçkaje që është e Kosovës, e të gjithë njerëve që jetojnë këtu, ne do të humbin potencialin për zhvillim ekonomik dhe do të shndërrohemi në skllevër ekonomik të spekulantëve financiarë dhe menaxherëve. Efekti politik i këtij skllavërimi politik do të jetë edhe më i thellë. Përveç skllavërimit politik e ekonomik të tanishëm, pasojat e privatizimit do të na përcjellin për shumë kohë. Privatizimi vetëm se do ta rikonfirmojë edhe më tutje këtë strukturë politike – por jo vetëm këta. Qëndrimi në pushtet dhe përfitimet që vijnë si rezultat, ua mundësojnë atyre riprodhimin klasor. Kjo do të thotë që pasardhësit e klasës ekzistuese politike do të shkollohen jashtë vendit dhe do të okupojnë pozita të larta në kapitalin kulturor dhe ekonomik, për t’u shndërruar më pastaj në kapital politik; dhe cikli i riprodhimit do të vazhdojë tutje.

Ndërsa, pjesa më e dhimbshme e këtij tregimi janë sindikatat, ndërsa të ashtuquajturat parti të majta të as që reaguan ndaj këtij vendimi të Qeverisë. Sindikatat “nuk pajtohen me metodën dhe mënyrën se si ndodhë privatizimi”. Sindikatat mund të përfaqësojnë gjithçka, përveç se interesat e punëtorëve. Konkludimi logjik është se këto sindikata përfaqësojnë interesat e Qeverisë në mesin e punëtorëve. Sepse për krye-sindikalistët, problemi qenësor nuk është privatizimi si i tillë, por mënyra e privatizimit. Thënë në kornizën e termeve të vjetra (por ende valide/operative), krye-sindikalistët i tradhëtuan interesat e klasës punëtore, sepse fryma në të cilën ata flasin është fryma e ideologjisë zyrtare neoliberale.

Por, cila është pozita e të ashtuquajturës opozitë në këtë situatë? Pozicioni i udhëheqësit të opozitës është okupuar nga Ramush Haradinaj. Haradinaj ka filluar një fushatë politike kundër Qeverisë Thaçi, duke e shfrytëzuar diskursin e popullizmit te djathtë. Duke bërë ftesë për një koalicion të spektrit të djathtë, duke e akuzuar atë si Qeveri të majtë. Qeveria Thaçi ekziston si një negacion i së majtës, sepse ajo është thelbësisht e djathtë. Ndërsa, popullizmi i Haradinajt na bën ftesë për Qeveri edhe më të djathtë, që do të thotë Qeveri e ekstremit të djathtë. Emri tjetër për qeveritë e ekstremit të djathtë është qeveri fashiste. Ndërsa, në kushtet socio–politike në të cilat gjendet Kosova, çdo parti/qeveri e cila nuk është e majtë, nuk është edhe largë së qenuri fashiste.

Por, cili është mësimi që duhet nxjerrë nga dituria e përgjithshme liberale për privatizimin si hapje e horizonteve të reja, si parakusht për zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të reja të punës, etj? Mao thoshte: “hudhi poshtë iluzionet, përgatitu për betejë”. Alain Badiou, si Maoisti i fundit serioz, thotë se hudhja poshtë e iluzioneve gjithmonë nënkupton riorientimin. Ndërsa riorientimi nënkupton rimendimin e politikës – e cila, sipas Badiou-së e nënkupton aksionin e organizuar kolektiv, jashtë/jo-partiak, e cila si qëllim ka rizbulimin e mundësive të reja, të cilat janë të shtypura nga situata ekzistuese e dominimit.

Botuar në Koha Ditore, 8 Janar 2010

Turpi i Partisë Socialiste

November 24th, 2009

Agon Hamza

Kryetari i Partisë Socialiste të Kosovës dha dorëheqje dhe i shpalli zgjedhjet e parakohshme partiake pas rezultateve katastrofale në zgjedhjet lokale. Në parim, ky vendim mund të duket si korrekt, demokratik, madje i domosdoshëm për forcimin e Partisë dhe broçkulla të ngjashme. Dhe pikërisht në këtë pikë edhe qëndron problemi i Partisë Socialiste të Kosovës.

Partia Socialiste e Kosovës e krijuar këtë vit në Prishtinë, si ‘avancim’ i Lëvizjes Popullore të Kosovës në një platformë dhe projekt “efektivisht” të majtë pas “krijimit të rrethanave të reja kombëtare: çlirimit të vendit, shpalljes së Pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës shtet sovran e i pavarur”. Partia Socialiste është pozicionuar si parti e qendrës së majtë. Edhe vazhdimi i programit të Partisë është në po të njejtën frymë ideologjike: pra, në frymën e epokës post–ideologjike, atë të koncenzusit liberal–demokratik, ku prona private, ekonomia e tregut, të drejtat dhe liritë e njeriut, etj triumfuan karshi “totalitarizmave” të shekullit të kaluar. Si pasojë, Partia Socialiste e Kosovës e humbë elementin e vet qenësor konstitutiv: socializmin. Ideologët e Partisë Socialiste (nëse realisht ajo ka të tillë) arritën që me sukses ta pozicionojnë Partinë në frymën e konzensusit neoliberal që tashmë është etabluar në Kosovë. Dallimi është se përderisa spektri partiak në Kosovë e përqendron vëmendjen te “qytetari” (natyrisht, në nivelin deklarativ), Partia Socialiste tenton të bëhet “humaniste” dhe ta vendosë “njeriun” në qendër të vëmendjes. Ekziston një traditë e gjatë në Partitë Komuniste të Europës Perëndimore (kryesisht në Itali, Francë, Spanjë), kur Partitë Komuniste e shpërqëndruan vëmendjen e tyre nga klasat dhe e vendosën atë tek njeriu. P.sh. John Lewis nga Partia Komuniste Angleze shkruante se “njeriu e bën historinë”; në përgjigjen e tij për Lewis, Althusser thoshte se janë “masat ato që e bëjnë historinë”. Madje, anëtarët e Partisë Socialiste të Kosovës, si enveristë që janë, duhet ta dijnë përmendësh librin e Enver Hoxhës për Komunizmin Europian “Eurokomunizmi është anti-komunizëm”. Jo se ky libër paraqet farë qëndrimi të qartë teorik – përkundrazi, Enver Hoxha ka pasur nivel jashtëzakonisht të ulët teorik – por, ata së paku nuk është dashur të bijnë në kundërshtim me mësimet e babait të tyre politik e ideologjik. Dhe në këtë kontekst, siç thotë një shok i imi për Marksizmin si projekt tejet serioz për t’u lënë në duar të Enver Hoxhës, unë do të vazhdoj tutje duke thënë se projekti emancipues i majtë në Kosovë është shumë më i thellë se sa niveli teorik, politik e ideologjik i poetëve të Partisë Socialiste të Kosovës: Emrush Xhemajli, Selvete Krasniqi, dhe ideologët e tjerë, janë tejet jo serioz për një projekt serioz emancipues. Nuk mjafton ‘ta duash Prishtinën” që të udhëheqësh me Prishtinën. As të jesh artiste, ose patriot (siç na pretendon të jetë Xhemajli). Andaj, disfata katastrofale e Partisë Socialiste të Kosovës ishte absolutisht e merituar.

Problemi i Partisë Socialiste, në krye me poetët e humanizmit, të cilët nuk kanë asgjë tjetër të na thënë përveç se dashurisë së tyre mbi njerëzimin, qytetin, shtetin, natyrën, etj. A nuk është ky pozicion reaksionar? Poetët socialistë nuk flasin për politikën – politika është shumë e dalë mode për të diskutuar për te. Ata më me qejf flasin për dashurinë ndaj njeriut. Na flasin për artin, për të bukurën. Ata janë spiritualistë – nuk dëshirojnë ta zbresin nivelin e tyre të diskutimint për çështjet aq praktike si politika. Ata janë socialistë të avancuar – ata nuk janë aq ortodoks sa të diskutojnë për çështjet e dalura prej mode, si p.sh. lufta klasore. Ata e kanë kuptuar naivitetin e Marksit, Leninit, Maos. Sepse ata thoshin: Prioritet absolut luftës klasore (Marksi,Lenini). Kurrë mos e harroni luftën klasore (Mao). Kush janë këta sharlatanë teorik e praktik (si Marksi, Lenini e Mao) në krahasim me poetët–ideologë të Partisë Socialiste të Kosovës, lartësia teorike e të cilëve është ngritur në nivel të dashurisë?

Por, a nuk është dashuria realisht problemi i Partisë Socialiste të Kosovës? Jo dashuria si e tillë, por kjo formë perverse e dashurisë, të cilën na e prezenton Partia? Ajo ka arritur që me sukses ta djegë emrin të cilin e përfaqëson: Socializmin. Dhe ky është suksesi i vetëm i Partisë Socialiste të Kosovës në skenën politike kosovare. Socializmi i tyre është pa kurrëfarë përmbajtje. Ai është tërësisht i zhveshur nga çfarëdo përmbajtje e majtë. Kohëve të fundit, Ramush Haradinaj është në kulmin e njërës prej invencioneve të tij të radhës: krijimin e një blloku të djathtë qeverisës, të cilët do ta nxirrnin Kosovën nga kjo gjendje e tmerrshme shoqërore, politike, ekonomike e kulturore. E akuzon PDK-në dhe Thaçin si të majtë. Por, sikur tendenca për “bllokun edhe më të djathtë” të mos ishte seriozisht e rrezikshme, deklaratat e Haradinajt do të ishin tejet qesharake. Si mund të jetë qeveria aktuale e majtë kur ajo: 1) privatizon gjithçka që ekziston; 2) e ndërton Kosovën (C ) të Re; 3) pagat e sektorit publik janë sipas rekomandimeve të FMN (politikë klasike neoliberale); nuk kemi sigurim shëndetësor, pensional, invalidor, etj; shkollimi publik është i degraduar në nivelin më të ulët, poashtu shëndetësia dhe të gjitha shërbimet e tjera publike, etj. Tendenca për të krijuar diçka më të djathtë se kjo qeveri nuk është gjë tjetër përveç se qeverisje fashiste: ajo çka i mungon qeverisë për t’u bërë edhe më e djathtë është thirrja në gjak, në etni, në prejardhje, në supremacinë e “racës” shqiptare (çka do që ajo mund të nënkuptojë), dhe t’i thurrim lavde Ballit Kombëtar dhe Xhafer Devës – pra bashkëpunëtorëve të Nazi–Fashistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky është mjerimi i politikës kosovare, ku i gjithë spektri serioz politik është i djathtë.

Partia Socialiste e Kosovës do të duhej të paraqiste alternativë të fuqishme politike ndaj këtij orientimi të politikës. Në vend të dashurisë për njeriun, natyrën, etj ata do të duhej të mbronin pozicionin klasor të shumicës së qytetarëve të vendit: klasës punëtore, të papunëve, studentëve, penzionerëve, invalidëve, etj. Ata duhet të pozicionohen qartë dhe fuqishëm kundër çdo forme të privatizimit të mëtutjeshëm të secilës ndërmarrje shoqërore dhe publike. Sfidë tjetër mbetet pozicionimi i tyre kundër secilës formë të prezencës dhe pushtetit kolonialist në Kosovë: duke filluar nga trupat e KFOR-it, e deri te misionet e OSBE–së. Socialistët nuk bëjnë kompromise me kolonialistët.
Në luftën e gjatë kundër kolonializmit, neoliberalizmit ne duhet ta orientojmë së pari në luftimin e revizionizmit të majtë në Kosovë – në luftimin e revizionizmit të Partisë Socialiste të Kosovës. Nëse Kongresi zgjedhor i Partisë Socialiste nuk bën ndryshime rrënjësore dhe radikale në përmbajtjen programatike të Partisë, por vetëm ndërron kryetarin, atëherë ne vetëm se do të kemi një Emrush Xhemajl

Botuar në Koha Ditore, 24 Nëntor 2009

20 vjet pas fatkeqësisë së errët

November 14th, 2009

Agon Hamza

Për Alain Badiou Shekulli i kaluar ka ekzistuar: ai nuk ishte një Shekull njëqind vjeçar: Shekulli fillon me luftën e viteve 1914-18 (luftë që e përfshinë edhe revolucionin e Tetorit të 1917-tës) the përfundon me kollapsin e BRSS-së dhe përfundimin e luftës së ftoftë. Ky është një Shekull i shkurtë (shtatdhjetë e pesë vjeçar). Me një fjalë, shekulli Sovjetik. Badiou e konstrukton këtë Shekull me ndihmën e parametrave historikë dhe politik që janë plotësisht të pranuar dhe tërësisht klasik: luftës dhe revolucionit.
Në të njëjtën frymë, disa dekada më herët flet edhe Fan S.Noli. Në Kongresin e Miqve të BRSS-së, të mbajtur në Leningrad në nëntor të vitit 1927, në krye të delegacionit shqiptar ishte Fan Noli, i cili në fjalimin e tij në Kongres, e shprehte admirimin për vendin e vetëm të udhëhequr nga klasa punëtore. Në po atë Kongres, Noli e njeh shekullin (e kaluar) si “rendi i Unionit Sovjetik” dhe Bashkimin Sovjetik si “atdheun e përgjithshëm të të gjithë proletarëve”. Admirimin e tij për Bashkimin Sovjetik, Noli e shfaqte haptazi, madje ai vihet në mbrojtje të tij, duke kërkuar që të luftohen të gjitha regjimet fashiste të kohës, para se ato të arrinin ta sulmojnë BRSS-në. Por, Noli shkon më tutje, duke thënë se “duhet të proklamojmë me zë të lartë se Unioni Sovjetik është vendi i vetëm në botë ku robërimi dhe eksploatimi i njeriut prej njeriut janë të aboluara në të gjitha format (kjo tregon se Noli e ka lexuar Marksin), ku nja njëqind nacionalitete gëzojnë një liri e një legalitet të plotë, e së paku prej kësaj pikëpamje Unioni Sovjetik është i vetmi Shtet i Civilizuar i botës, i vetmi oaz human në një shkretëtirë barbarizmi e brutaliteti”.

Badiou e quan rënien e komunizmit si “fatkeqësia e errët”. Dhe e tillë ishte. Rënia e Murit të Berlinit dhe fillimi i dezintegrimit të të ashtuquajturit Bllok Sovjetik, ose Bllok Lindor, paraqiste njërën nga disfatat më të rënda të klasës punëtore në luftën e tyre klasore. Kjo rënie paraqet një dështim të rëndë. Lufta klasore karakterizohet nga humbjet dhe fitoret e vazhueshme. Siç do të thonin mendimtarët bashkëkohorë Marksist, periudha e ‘real-socializmit’ ishte vetëm njëra nga përpjekjet për ta jetësuar Idenë/Hipotezën komuniste, e cila filloi prej kohëve antike të Spartakut e deri te revolucioni Kulturor. Dhe kjo sekuencë e historisë së shekullit të kaluar përfundoi me rënien e Murit të Berlinit.

Me rënien e Murit të Berlinit e tutje, kapitalizmi dhe demokracia krijuan një aleancë, “Aleancën e Shenjtë” e cila sundon mbi ne. Regjimet kapitalo–demokratike u prezentuan si vlera universale, si i vetmi sistem i mundshëm politik. Rrjedhimisht, hegjemonia liberale po shpërndahej gjithandej. Ky sistem politik e prezentoi veten si diçka që është në harmoni të plotë me natyrën njerëzore, që këto marrëdhënie në prodhim, me koordinatat e veta politike është pikërisht ajo për të cilën njerëzimi lëngonte. Badiou shpesh e përsëritë se problemi ynë sot nuk është aq shumë kapitalizmi, sa është demokracia. Në vitet e 90’ta, kur ëndrra liberale u realizua, demokracia ishte e domosdoshme që kapitalizmi të instalohet në tërësi. Një tezë interesante është propozuar së voni nga Rastko Mo?nik, i cili thotë se kapitalizmit nuk i duhet demokracia; është pikërisht e kundërta, janë regjimet autoritare ato që i shkojnë më tepër për shtati kapitalizmit. Sipas Mo?nik-ut, demokracia është gjendja/kushti preciz ideologjik, i cili injektohet në vendet të cilat janë ose kalojnë nëpër tensione ose konflikte/lufta. Kjo do të thotë që me qëllim që të ruhet rendi kapitalist, demokracia është le passé prej konfliktit/tensioneve, deri te regjimet autoritare. Demokracia ishte domosdoshmëri politike e të 90’tave utopike, përderisa në dekadën e parë të shekullit tonë, janë regjimet autoritare ato të cilat po shfaqen gjithandej. Kjo është ajo që ndodhë përreth Europës e Azisë, me Berlusconin e Putinin, si çift ideal, shembull tipik i këtyre paradigmave politike.
A nuk po ndodhë edhe kjo në Kosovë? A nuk është Hashim Thaçi sot forma e zbehur e Putinit? Thënë në fjalorin Žižekian, Thaçi paraqet verzionin e dekafenizuar të Putinit: ai kontrollon gjithçka (mediat, shoqërinë civile, kompanitë, etj) por, vetëm se nuk ka pushtet mbi aparatet formale represive shtetërore. Marksi thoshte se për ta kuptuar majmunin, duhet analizuar forma më e lartë e tij: njeriu, ose për ta kuptuar një rend ekonomik, duhet të analizohet vendi ku ai rend e shprehë formën më të lartë të zhvillimit të tij (dhe pikërisht për këtë arsye, Marksi shkoi për ta studiuar kapitalizmin në Angli, në vendin më të zhvilluar kapitalist të kohës). A nuk duhet ta bëjmë ne të njejtën: për ta kuptuar esencialisht Hashim Thaçin, ne duhet ta studiojmë formën më të lartë të zhvillimit të tij – Putinin. Teza e Mo?nik-ut është teoretikisht e saktë, dhe praktikisht e zbatueshme. Sepse Thaçi nuk është fenomen në vetvete, ai është kopje e zbehtë e regjimeve autoritare.

Rënia e Murit të Berlinit inaguroi një konfiguracion të qartë ideologjik që e “reja” të zë vend. Politikanët, spekulantët financiarë, mendimtarët dhe akademikët mainstream, na thonë se rënia e Murit të Berlinit shënjon fillimin e mundësive të reja. Ajo nënkupton që lufta ideologjike përfundoi, kapitalizmi liberal doli fitues nga platformat ideologjike dhe format e saj perverze të shekullit të kaluar (totalitarizmat: Nazi-Fashizmi dhe Stalinizmi) dhe tani ne mund të pushojmë të qetë në liberal kapitalizmin tonë unik, me demokracinë si formë politike të organizimit. Francis Fukuyama inaguroi fundin e vizioneve dhe platformave utopike, nëpërmjet tezës së tij mbi “fundin e historisë”. Rrjedhimisht, ai inaguroi fillimin e utopisë: utopinë liberal–demokratike.
Liberal–demokracia qëndron për “ëndrrën e realizuar” në një kuptim të veçantë – atë psikoanalitik: në psikoanalizë kjo quhet “horror”. Në librin e tij të fundit, “First as a tragedy, then as a farce”, Slavoj Žižek i njeh vitet e “lumtura të 90ta” si utopi të pastër. Utopia “e lumtur Clinton-iane” duhej të përfundonte. Ai fillon nga fillimi i librit të famshëm të Marksit “18 Brumeri i Louis Bonapartës”, ku Marksi e korrekton Hegelin i cili thoshte se historia domosdoshmërisht e përsëritë veten: “Hegeli thotë dikund se të të gjitha ngjarjet dhe personalitetet e mëdha të historisë shfaqen dy herë” dhe e përmirëson atë duke shtuar se ngjarjet e personalitetet shfaqen në “herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë”. Žižek–u e aplikon këtë formulë për dekadën e parë të shekullit 21: 11 Shtatori i vitit 2001 dhe kriza financiare janë pikërisht ajo që Lacan do ta kishte quajtur si Real e demokracisë: Utopia përfundoi: herën e parë si tragjedi (9/11), pastaj si farsë (kriza financiare).

Në këtë kontekst, njëra ndër tezat kryesore të Marksit u realizua: kapitalizmi është rend global. Ne nuk mund të jetojmë jashtë kapitalizmit. Rënia e Murit të Berlinit e shënjoi realizimin e kësaj teze. Ky Mur i cili qëndronte si ndarje e thellë ideologjike ndërmjet dy të ashtuquajturave blloqe, kollapsoi. Rënia e murit të Berlinit nuk ishte bashkim nacional i gjermanëve. Bashkimi “kombëtar” gjerman ishte pasojë e triumfit të kapitalizmit; ishte pasojë e hegjemonisë kapitaliste drejt të të ashtuquajturit Bllok Sovjetik. Më këtë akt, filloi bota e quajtur Post (ideologjike, moderne, industriale, seksuale, etj).
Çështja është se liberal–kapitalizmi nuk mund të ekzistojë në vetvete dhe për vetveten. Dialektika e zhvillimit të forcave prodhuese dhe marrëdhënieve në prodhim nuk e lejon stabilitetin në formacionin liberal–kapitalist. Në Manifestin Komunist, Marksi e Engelsi shkruajnë se “borgjezia nuk mund të ekzistojë pa shkaktuar vazhdimisht përmbysje në veglat e prodhimit, pa revolucionarizuar, pra marrëdhëniet në prodhim, dhe, si rrjedhim, të gjitha marrëdhëniet shoqërore. Përkundrazi, kushti i parë ekzistenën e të gjitha klasave industriale të mëparshme ishte që mënyra e vjetër e prodhimit të mbetej e pandryshuar. Përmbysjet e vazhdueshme në prodhim, tronditja e vazhdueshme e të gjitha marrëdhënieve shoqërore, pasiguria e përhershme dhe lëvizja janë ato që e dallojnë epokën borgjeze nga të gjitha epokat e mëparshme”.
Ajo me të cilën ne ballafaqohemi sot janë përpjekjet e kapitalizmit për jetëgjatësi. Ky formacion ekonomik arrinë të prodhojë probleme, të cilat nuk është e mundur të zgjidhen përbrenda koordinatave dhe mjeteve të cilat i ka dhe i posedon kapitalizmi. Për shembull, problemi i eksploatimit të vazhdueshëm ekonomik e politik në Botën e Tretë prezentohet si çështje e (jo)tolerancës; punëtorët emigrantë të Botës së Tretë nuk përceptohen si subjekt potencial politik, por si subjekte toksike; analiza klasore është zëvendësuar me analizën e dallimeve kulturore, ku racistët evropianë vijnë dhe na studiojnë neve, kulturën tonë, mitet tona, etj dhe nëpërmjet kësaj analize, mendojnë se arrijnë të zbulojnë diçka të thellë; ekzaminimi i historisë është reduktuar në të ashtuquajturën studime të memorjes. Të gjitha këto kategori dhe “orientime” akademike nuk meritojnë asgjë më shumë se sa të futen përjetësisht në gulag politik e akademik. Apo ndoshta, këtyre “akademikëve” apo “shkollarëve” duhet t’iu imponohet një Berufsverbot (ndalesa për të vepruar). Sepse racizmi i tyre është bërë jo vetëm i padurueshëm, por edhe pengesë për secilën lëvizje përpara.
Siç thotë Žižek, toleranca liberale prodhon forma të reja të aparteidit, racizmit, kolonizimit e dominimit. Në këtë pikë, pra në momentin kur problemet e shfaqura prej vet këtyre marrëdhënieve në prodhim, nuk mund të zgjidhen përbrenda vet koordinatave të kapitalizmit, pyetje të reja duhet të shtrohen. Ne duhet të shtrojmë pyetje të rënda politike – duhet të flasim për politikën. Jo për kulturën, identitetin, menaxhimin e administrimin. Ne duhet të përsërisim atë që e bëri Marksi me “ekonominë politike”. Interpretuesit e sotëm të Marksit, na thonë se e dinte shumë mirë se ekonomia është çështje e vendimeve të thella dhe të rëndësishme politike – thjeshtë, ajo nuk mund t’i lihet tregut. Madje, Žižek thotë se edhe për ta aktivizuar të ashtuquajturën ekonomi të tregut, një sërë vendimesh politike duhet të merren. Ekonomia është shumë serioze të lihet në dorë të menaxherëve, teknokratëve e burokratëve me sako e kollare.

Rënia e Murit të Berlinit shënjoi përfundimin e një përpjekje të pasuksesshme për materializimin e hipotezës Komuniste. Teza e Alex Callinicos duhet përsëritur këtu: rënia e Murit të Berlinit nuk është përfundimi i projektit Marksist; përkundrazi, ajo shënjon përfundimin e projektit Stalinist. Rrugë dhe shtigje të reja po hapen tani, me krizën financiare dhe lindjen e racizmave të rinjë, dhe formave të reja të eksploatimit, kolonizimit dhe dominimit. Dhe ne nuk jemi vetëm. Siç thoshte Althusser, “Komunistët, kur ata janë Marksistë, dhe Marksistët, kur ata janë Komunistë, ata kurrë nuk qajnë në shkretëtirë.Edhe kur ata janë praktikisht të vetmuar”.

Botuar në shtojcën Koha për Kulturë, 14 Nëntor 2009

Raportimi nga spektri i ideologjisë

November 14th, 2009

Agon Hamza

Zgjedhjet lokale në Kosovë kanë arritur që me sukses të jashtëzakonshëm ta pahtësojnë varfërinë politike të Kosovës. Cinikët postmodernistë na thonë se nuk brengosen për sistemin politik, për koordinatat bazike politike të cilat e determinojnë atë, por na flasin për mungesën e ofertës politike. Sipas kësaj logjike që është shumë e saktë për logjikën e tregut të lirë në politikë, nuk është me rëndësi se mbi çfarë sistemi zhvillohen zgjedhjet, cilat koordinata politike e determinojnë punën e të zgjedhurve; me rëndësi është që dikush të zgjedhet në procedurën formale demokratike. Cinikët poashtu na thonë se partitë nuk kanë program të qartë politik, ose siç na thuhet tani në termet e tregut të lirë, partitë politike nuk kanë ofertë politike. Unë mendoj se është e kundërta: ato kanë program dhe ofertë, ato i kanë te dyjat, por problemi është se çfarë programi ato kanë. Program të importuar, dmth program të pastër neoliberal. I tërë programi i partive politike i është nënshtruar logjikës së tregut. Fatkeqësisht, këtu përjashtim nuk bëjnë as poezitë politike të të ashtuquajturave parti të spektrit të majtë, në krye me dy krye–poetët, kandidatë të Partisë Socialdemokrate dhe Partisë Socialiste për kryetarë të Prishtinës.

Fushata zgjedhore i ka tejkaluar limitet e politikës, jo në kuptimin e punës dhe aktivitetit politik, por në aspektin e ideologjizimit të asaj fushe shoqërore, e cila sipas disa parimeve e standardeve do te duhej të lihej jashtë komedisë demokratike. Ata janë fëmijët. Në vazhdën e manifakturimit të heronjëve, kohëve të fundit ne kemi edhe një kategori të re heronjësh: ata janë heronjët e demokracisë. Kjo kategori heronjësh përfaqësohet më së miri nëpërmjet shoqërisë civile, nëpërmjet atyre organizatave e instituteve, ekzistenca e të cilave varet kryekëput nga donacionet e jashtme. Organizata, eksitenca e të cilave bazohet në projekte, të cilat materializojnë në një nivel të caktuar politikat ndërkombëtare për Kosovën. Në këtë nivel, ekziston një çarje e madhe ndërmjet shoqërisë dhe shoqërisë civile. Në këtë linjë, a nuk është Instituti KIPRED organizata e cila udhëheq në manifakturimin e heronjëve të demokracisë? Para pak kohësh, të tmerruar nga rënia e vazhdueshme e daljes në zgjedhje, KIPRED lancoi një fushatë për edukimin e votuesve të rinjë, më saktë, të fëmijëve nga mosha 12 deri ne 17 vjeçare. Nëse diçka, kjo qëndron për manipulimin më të paturpshëm ideologjik. Të gjithë na thonë se fëmijët duhet të lihen jashtë fushatave zgjedhore, ata nuk duhet të manipulohen, etj. Këtë madje e thotë edhe “Demokracia në Veprim”, pjesë e së cilës është edhe KIPRED. Sikur Kosova të ishte vend normal, ku do të sundonte ligji, etj – të gjitha këto fjali që dalin nga goja e heronjëve – ata do të ishin të akuzuar në ndonjë proces penal gjyqësor për manipulim të fëmijëve. Sipas Althusserit, subjekti është gjithmonë i konstituar nga interpelimi: funksioni i Aparteve Ideologjike Shtetërore përveç hegjemonizimit të sferës shoqërore me idelogjinë sunduese, ato kanë për qëllim edhe të krijojnë Subjektin. Subjekti i konstituar nëpërmjet interpelimit, është gjithnjë subjekt i Shtetit dhe rrjedhimisht, ideologjisë sunduese. Subjekti krijohet nëpërmjet praktikave ideologjike, sepse sipas Althusserit, ideologjia ka shumë pak të bëjë me vetëdijën – ajo është kryesisht e pavetëdijshme, dhe ekziston në praktikën e përditshme. Secili Aparat Ideologjik e ekzekuton një praktikë, në formën e procedurës, nëpërmjet të cilave krijohet “baza materiale” për ideologjinë. KIPRED është në fazën e konstituimit të subjekteve statike, subjekteve shtetërore – subjekteve jo-politike, ku rëndësia themelore qëndron në faktin e pjesëmarrjes në zgjedhje, pra në legjitimimin e këtyre koordinatave politike, të cilat, sipas heronjëve, po zbehen nga mospjesëmarrja e mjaftushme në zgjedhje.

Zgjedhjet qëndrojnë si mohim i politikës. Ato e depoliticizojnë subjektin, trupin shoqëror. Ato e zëvendësojnë politikën në formën e ritualeve të depolitizimit. Politika ka të bëjë me veprime, me akte konkrete politike. Para rreth dy javësh, shumë fakultete në Austri u okupuan nga studentët. Ata kërkojnë shkollim falas. Lëzivja Ndërkombëtare e Studentëve është një platformë politike e grupeve dhe e aktivistëve përreth botës, të cilët janë organizuar kundër komercializimit të shkollimit publik. Ata insistojnë për shkollim falas dhe emancipues. Shumica e fakulteteve të humanistikës tani janë të okupuara qe dy javë: protestat dhe okupimet e fakuleteve tjera janë paralajmëruar në SHBA (Kaliforni), Gjermani, Itali, Kroaci, Bosnjë, Irlanë, Nepal, Banglladesh, Maqedoni, Angli, Zvicër, Spanjë. Kjo formë e aktivizmit filloi në Tuzlla të Bosnjës gjatë semestrit të kaluar akademik, për të vazhduar në Ljubljanë dhe në tërë Kroacinë. Studentët e Universitetit të Prishtinës, e cila funksionin si qendra e reaksionit, nuk mendojnë për t’u revoltuar. Ata sipas të gjitha gjasave nuk do t’i bashkangjiten Lëvizjes Globale të Aksionit – për shkollim falas dhe të emancipuar. Ata janë zënë me ankesat a tyre për gjendjen e rëndë sociale, nivelin e mjerueshëm të shkollimit, padrejtësitë sistematike që iu bëhen. Më shumë duhet se janë të interesuar të jenë në njërën nga listat e cilës do parti për këto zgjedhje. Qëllimi i tyre nuk është ndryshimi i kushteve të tyre të studimit dhe jetesës, për të cilat aq shumë ankohen. Qëllimi i tyre, ambicia e tyre jetësore është t’ia zënë vendin ndonjërit prej politikanëve ekzistues. Angazhimin e tyre nëpër unionet dhe organizatat e tjera studentore të Universitetit të Prishtinës, studentët e përceptojnë si një mundësi ideale për t’u katapultuar në politikën zyrtare, në njërën nga partitë ekzistuese. Për më tepër, edhe kur katapultohen, ata nuk bëhen më pak qesharak se sa që janë gjatë aktivitetit të tyre studentor: studentë me sako e kollare. Këtë brand mund ta shohim vetëm në Kosovë dhe askund tjetër. Janë shumë të preokupuar më imazhin e tyre, me dukjen e tyre qesharake prej burokrati. Modeli i tyre politik është i sublimuar në Bujar Dugollin. Prej vitit 1968, në rebelimin e famshëm gjithandej botës e deri sot, studentët përceptohen si forcat emancipuese të shoqërisë. Atyre nuk iu duhet edhe ndonjë shkas i madh për t’u rebeluar. Për ta rebelimi është më i rëndësishëm se sa arsyet për rebelim. Natyrisht, përjashtim këtu bën Kosova. Histerikët ankohen dhe ofshajnë, por nuk rebelohen. Siç na mëson psikoanaliza, ata kënaqen në simptomën e tyre. Nuk mund të dalin përtej kësaj gjendje të ankesës. Ndërsa, Lacani do t’iu thoshte: si histerikë që jeni, ju pandërprerë do të keni një Padron. Më mirë të rebelohemi për shkollim falas dhe emancipues, se sa nënshtrim politik e subjektiv me daljen në zgjedhje.

Botuar në Koha Ditore, 14 nëntor 2009

Funksioni ideologjik i korrupsionit

November 6th, 2009

Besnik Pula

Si i kemi punët sot me korrupsionin? Korrupsionin duhet ta kuptojmë në dy nivele: në kuptimin pozitiv (çfarë përdoret në një shqyrtim juridik apo studim sociologjik), korrupsioni është akt që shkel një normë të caktuar ligjore apo morale, përmes të cilit individi përfiton diçka në një mënyrë që nuk i takon. Mirëpo, përveç këtij përkufizimi, kemi edhe një anë tjetër të korrupsionit, shumë më të rëndësishme se ky i pari: anën fenomenologjike të tij, në kuptimin e ekzistencës kolektive të tij si diskurs, si formë ligjërimi me të cilin ndërtohet përshkrimi i jetës shoqërore. Në këtë kuptim, korrupsioni nuk është kategori që përshkruan një akt konkret, por një shënjues i përgjithshëm që mbërthen përshkrimin e tërë transformimeve politike dhe ekonomike në Kosovë që nga viti 1999. Pikërisht ky është kuptimi i saktë i korrupsionit në diskursin politik kosovar. Përderisa rastet e dënimeve përmes proceseve juridike të rasteve të korrupsionit janë të pakta dhe të neglizhueshme, diskursi i përgjithshëm dëfton se korrupsioni është i gjithanshëm dhe gjithpërfshirës. Atë e gjen që nga niveli i ulët i administratës (ku, për një shërbim të vogël, duhet të paguash rryshfet), deri tek majat e larta të politikës, ku zihen lidhje të ngushta në mes të politikës dhe biznesit, ku manipulohet me fonde publike nga e cila individë të caktuar nxjerrin përfitime personale etj. Korrupsioni prandaj nuk është vetëm akt, ai është, në këtë diskurs, gjendje shoqërore. Është pjesë normale e rregullimit shoqëror gjatë “tranzicionit”, ku gojëdhënat dhe thashethemet për aferat e ndryshme korruptive të filanit apo fistekut shpërthejnë si rrufe nëpër diskutimet private. Ky diskurs nuk është i veçantë për Kosovën; të njëjtin e gjen në të gjitha vendet postsocialiste, që nga Rusia deri në Shqipëri. Aq shumë sa që mundemi saktësisht dhe pa ironizime ta mbërthejmë gjithë periudhën e “tranzicionit” në vendet e ish-Bllokut socialist në një tranzicion në një gjendje të përhershme të korrupsionit.

Korrupsioni, në këtë kuptim e tij si diskurs, pra, si ideologji, nuk ka të bëjë me rastet konkrete të korrupsionit, me shfaqje konkrete të tij, me një vlerë sasiore të tij. Përkundrazi, diskursi i korrupsionit përkufizohet nga papërcaktueshmëria e tij: sipas tij, në këtë kohë, GJITHKUSH është i korruptuar, aq më tepër kur fjala është për njerëzit e pushtetit – ata janë, pa dallim, të gjithë të korruptuar, të gjithë vjedhin. Por, në ekstrem, e dimë se sociologjikisht, një sistem shoqëror i tillë është i pamundur: çdo sistem shoqëror ndërtohet sipas disa normave, qofshin ato edhe perverzione të drejtpërdrejta të normave zyrtare të atij sistemi shoqëror. Korrupsioni total është i pamundur si fakt sociologjik: rezultati i tij është i imagjinueshëm vetëm në botën Hobbesiane të luftës së secilit kundër secilit, në një botë pa rregulla dhe pa kufij i cili ekziston vetëm hipotetikisht. Prandaj, vetë korrupsionin duhet ta kuptojmë si dukuri sistemike, me një fjalë, siç na mësojnë edhe studimet sociologjike, korrupsioni ekziston në vetëvete i normuar nga sistemi shoqëror: ka rregulla të korrupsionit, situata në të cilat korrupsioni është rrjedhë normale e gjërave, norma që i rregullojnë aktet korruptive (p.sh., deri në çfarë mase është e “lejueshme” që të plaçkitet paraja publike, sa është “çmimi” joformal që duhet të paguhet për një shërbim publik etj.). Korrupsioni është proces i dyanshëm: ai domosdoshmërisht kërkon dy palë, pra një bashkëveprim në krim, edhe pse palët nuk janë gjithnjë të barabarta. Në këtë mes, ndalesat formale kundër korrupsionit (p.sh. ligjet kundër vjedhjeve dhe malverzimeve me arkën e shtetit, procedura për rregullimin dhe kufizimin e shkëmbimeve monetare të fondeve publike, monitorimi publik i shpenzimeve buxhetore dhe sjelljes së zyrtarëve etj.) kryejnë efektin e nxitjes së vetë korrupsionit: me vetë ekzistencën e tyre ato provokojnë shkeljen e normës zyrtare dhe japin standardin karshi të cilit matet niveli i patologjive shoqërore. Mirëpo, ekzistenca e akteve korruptive nuk domethënë se sistemi shoqëror është disfunksional – ai mund të jetë disfunksional karshi ideologjisë dhe normave zyrtare të tij – por jo karshi ideologjive “praktike” të pjesëtarëve të saj, i cili shkon përtej normave dhe rregullave zyrtare për të pohuar se “në këtë vend/në këto rrethana, kështu bëhen punët”. Ideologjia pra nuk ekziston në rregullat formale të sistemit, por në të çarat që plotësojnë të metat e tij, që bëjnë sistemin të funksionojë si sistem.

Gjatë viteve 1950 dhe 1960, në sociologjinë amerikane lindi një degë e veçantë e sociologjisë që më vonë filloi të njihet si sociologjia e organizatave. Interesi i kësaj dege të sociologjisë lidhej me teoritë dominantë kohës, paradigmës së funksionalizmit, ku roli i sociologut shihej pothuajse sikur të një terapisti shoqëror, i ngarkuar me zbulimin e “defekteve” dhe “disfunksionaliteteve” dhe rasteve të “keqintegrimit” që mund të korrigjoheshin me intervenime korrigjuese politike, juridike dhe organizative. Mirëpo, ajo që zbuloi kjo degë e studimeve nuk ishte aspak në ndihmesë të “stabilizimit” të funsionimit të organizatave, por diçka shumë më subverzive: që organizatat të funksionojnë, shumë më të rëndësishme se rregullat formale, procedurat, aktet normative etj., ishin rregullat implicite, joformale, “praktike” që mundësonin akterëve të organizatës që “të kryejnë punë”. Mirëpo, duhet të shkohet edhe një hap më tej: a nuk është bota joformale e çdo organizate parakusht për ekzistencën e vetë organizatës formale? Organizimi modern burokratik prodhon anën e lapërdhishme të tij, ku që të kryhet puna dhe të nxirren rezultate efektivisht kërkohet shkelja e normave dhe rregullave formale të organizatës.

Lidhur me këtë, është mirë të kujtojmë një barcoletë nga koha e Enver Hoxhës. Një zyrtar i Sigurimit i drejtohet një qytetari: “çfarë mendimi ke për Patinë?!” Ky, i terrorizuar, i përgjigjet, “unë mendoj atë që e mendon ti”. Sigurimsi ia kthen: “jo, se po e mendove atë që e mendoj unë, duhet të të arrestoj në vend!”. A nuk ishin barcoletat mekanizmi ideologjik i cili plotësonte të çarat e ideologjisë së diskredituar zyrtare të sistemit socialist? Të njëjtin funksion sot, në epokën e ndërtimit të kapitalizmit, e kryen diskursi për korrupsionin. Korrupsioni rrallë herë ka objekt specifik, por kryen funksion ideologjik: Nuk është që diskursi për korrupsionin, siç thotë versioni liberal, “fsheh një të vërtetë, se zyrtarët janë të korruptuar, se biznesi është i korruptuar, por me ligje dhe implementim më të fuqishëm të tyre këto raste do të minimizohen etj.”, e vërteta është më skandaloze se kaq. Diskursi për korrupsionin, në fakt, është forma praktike e implementimit të normave dhe ideologjisë zyrtare të sistemit shoqëror (“demokracia parlamentare”, “sundimi i ligjit”, “ekonomia e tregut” etj.). Me një fjalë, duke aluduar në farsën që është ideologjia zyrtare, diskursi për korrupsionin shpreh të vërtetën e procesit historik që po e kalon shoqëria kosovare: një ndryshim radikal të kuptimeve thelbësore për normat shoqërore, të një ribërje klasore të shoqërisë dhe një rikategorizimi të hierarkive shoqërore dhe statusore. Aq sa që kjo na jep leje ta përmbysim shprehjen e dikurshme të marksizëm-leninizmit dogmatik: “rruga për në komunizëm kalon kah socializmi” (pra, që burokratizmi i tepërt socialist dhe intervenimet e ndryshme të aparatit shtetëror ishin një domosdoshmëri historike për të arritur tek një shoqëri komuniste), në këtë: “rruga për në kapitalizëm kalon kah korrupsioni” (që korrupsioni dhe të këqijat tjera janë domosdoshmëri për ndërtimin e një ekonomie kapitaliste). Këtë e dimë edhe nga Marksi, i cili kategorikisht hedh poshtë rrëfimet mitike për origjinën e kapitalizmit, që ato gjehen në natyrë, në shkëmbim, në arsye, por në procesin historik të asaj që ai e quan “akumulimi primitiv i kapitalit”. Ky proces ndodh në mënyrën më ilustrative në Anglinë e shekullin XVI, kur me ligje të reja nga Parlamenti, tokat dhe kullotat kolektive u shndërruan në prona private të aristokracisë, pas së cilave pasoi dëbimi i bujqëve dhe fshatarëve nga toka. Në këtë rast, siç shprehet Marksi, dhuna kishte funksion ekonomik, ndërsa akumulimi primitiv i kapitalit ishte parakusht për ndezjen e qarkut të akumulimit të vazhdueshëm kapitalist.

Nëse e marrim diskursin për korrupsion si shprehje të proceseve reale të ndërtimit të kapitalizmit (që nënkupton, në radhë të parë, formimin e një klase kapitaliste, ndërtimin, qoftë me mjete të “tregut”, siç janë monopolet dhe përvetësimi i aseteve të dikurshme publike, qoftë edhe me dhunën e plaçkitjes së hapur, shoqëruar me krijimin të hierarkive të reja shoqërore, të institucionalizimit të një sistemi klasor, të komodifikimit dhe monetarizimit të sa më shumë sferave shoqërore, të pjesëmarrjes në rrjetet e varshmërive dhe hierarkisë ekonomike globale etj.), çka nënkupton kjo për një politikë anti-korrupsion? Çka domethënë sot të denoncosh korrupsionin, pa rënë në grackën e koordinatave dominante ideologjike (“korrupsioni është i keq, por, me forcimin e shtetit, ai do të zhduket”,  apo “korrupsioni është i keq por, është i domosdoshëm për këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë” etj.)?

Është interesant në këtë mes roli i ish-drejtorit në dorëheqje të RTK-së, Agim Zatriqi. Në Kosovë ka ndodhur një proces i ndryshëm nga vendet tjera ish-socialiste: përderisa atje, ishte burokracia e lartë e socializmit ajo që përfitoi më së shumti nga privatizimet dhe tregu liberal i “tranzicionit” (ku ish-drejtorët përvetësonin ndërmarrjet publike dhe shoqërore, duke u shndërruar në pronarë privatë të tyre dhe krijuar monopole të menjëhershme, ku ish-zyrtarët e sistemit socialist shpejt rimorrën pushtetin përmes zgjedhjeve etj.), diçka që prodhoi, sikur në rastin e Rusisë, një klasë të vogël miliarderësh brenda natës ndërsa varfëroi shumicën e popullatës, “korrupsioni” është asociuar shpesh me elitën ish-komuniste. “Po”, thonin liberalët e tranzicionit, “ne do të kishim demokraci, sundim të ligjit, treg të lirë etj., mirëpo problemi janë ish-komunistët e korruptuar që i zaptuan të gjitha!”. Ky diskurs u shfaq edhe në Kosovë me rastin e Zatriqit: ky akuzohej si “drejtor i keq” jo vetëm për shkak të aferave që kishin ndodhur në RTK gjatë kohës së tij, por nga fakti se Zatriqi ka qenë ish-aktivist politik në periudhën e socializmit, kishte mbajtur poste politike në ish-krahinën e Kosovës etj., pra ishte “komunist”. I njëjti diskurs përdorët edhe për gjykatësit dhe prokurorët: ata që kanë shërbyer në periudhën e krahinës së Kosovës shihen si të korruptuar, të padrejtë, të paaftë etj. (është intersant kjo marrje me kohën e autonomisë ndërsa shlyhet kujtesa e dhjetëvjetëshit nën Millosheviqin, kur shteti ishte njëmend represiv dhe i dhunshëm – ata që gëzonin privilegje politike dhe ekonomike në atë periudhë nuk shihen si problematik, nuk sfidohen dhe as kontestohet legjitimiteti i tyre). Por problemi në Kosovë është ky: Zatriqi është anomali në një kontekst ku “korrupsioni” nuk është karakteristikë e elitës ish-komuniste, por e asaj post-, madje edhe anti-komuniste. Në Kosovë, për korrupsionin nuk mund të fajësohen ish-komunistët, me formulën se, “po t’i hiqnim këta, gjithçka do të ishte në rregull”, pasi që “këta” nuk dominojnë sot në elitën politike dhe ekonomike të Kosovës.

Ku na lë kjo? Zhveshja e maskës ideologjike të korrupsionit si element i trashëguar nga e kaluara na e shpërfaq të vërtetën e aktualitetit historik: korrupsioni nuk është, as si ideologji, as si praktikë, mbeturinë nga e kaluara, por element konstituiv në ndryshimet aktuale shoqërore. Në këtë mes, thirrjet për forcimin e ligjit, për formcimin e shtetit, për denoncimin moral të korrupsionit janë reaksionare dhe thirrje për më tepër autoritarizëm. A nuk është po i njëjti sentimet që solli lindjen e putinizmit në Rusi, dhe nocionin e shtetit të fuqishëm, autoritar e represiv, me gjitha elementet fallike që lidhen me të? Paradoksi i këtij diskursi është se kërkesat e tij janë të realizueshme: shteti forcohet jo që të zhduk korrupsionin, por në mënyrë që të vazhdojnë më efektivisht proceset e nisura, duke vepruar në mënyra më autoritare dhe më të dhunshme, duke ngushtuar më tej hapësirat e veprimit të lirë politik e shoqëror. Prandaj, ndoshta më shumë se për denoncime të korrupsionit, sot kemi nevojë për denoncime të një sistemi politik dhe ekonomik i cili nuk mund të funksionojë pa të.

Botuar te Koha Ditore, 6 nëntor 2009